Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, teksa foli për grevën citoi Ligjin, i cili nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.
“Me Ligjin mbi grevën përcaktohet e parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila tha se duhet secili institucion buxhetor, qoftë nacional apo lokal të dërgojë listat se si ka qenë pezanca e punonjësve të punë, në mënyrë që pastaj të bëhen pagesat siç parashihet me ligje.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të shtunën, kur njoftoi për pezullim të grevës, tha se punëtorët do të marrin pagat.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se të premten do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit.
Në pikën e parë të kësaj seance, do të jetë interpelanca për ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Është vendosur për interpelancën për ministrin e Financave, Hekuran Murati, lidhur me vendimin e tij arbitrar për ndalimin e pagave, për presionin që e ka bërë në pushtetin lokal gjatë grevës dhe po ashtu për ndërhyrjen në autonominë e komunave në atë kohë”, ka thënë Tahiri në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.