Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimosa Kusari-Lila, ka kritikuar deputetët të cilët po bojkotojnë pjesëmarrjen në procesin e votimit brenda Kuvendit.
Ajo tha se veprimet e tyre janë në kundërshtim të plotë me përgjegjësinë që e kanë marrë përmes votës së qytetarëve.
“Po e ripërsërisim disa herë që po vijmë për të votuar. Nëse kjo situatë vazhdon në një formë amullie të paqartë po tregon që mos pjesëmarrja në votim e tyre nuk përkon me pozicionin që kanë marrë. Nuk po votojmë për kryetare të Kuvendit, por për procedurë”, deklaroi Kusari-Lila, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve institucionale.
Në vazhdim të fjalës së saj, Kusari-Lila u ndal edhe te raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i quajti “pakontestueshëm partnerin më strategjik” të vendit, si në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen.
“ShBA-të mbeten pakontestueshëm partneri më strategjik i Kosovës si në të kaluarën ashtu dhe në të ardhmen. Aktualisht më shumë se kurrë, bashkëpunimi ynë është shumë i ngushtë në fushën e mbrojtjes, në veçanti. Sapo është kthyer ministri Maqedonci nga SHBA në fazën e tretë të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, që tregon përkushtimin dhe angazhimin tonë në një partneritet të tillë”, u shpreh ajo.
Duke komentuar referencat e fundit ndaj një deklarate të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Kusari-Lila kritikoi mënyrën se si ajo po përdoret në debatin e brendshëm politik.
“Referenca që po i bëhet ri-përsëritjes së deklaratës së presidentit Trump, ku i referohet një marrëveshje në kohën e tij… Kjo çka po ndodh këtu është përgjegjësi e një klase politike të përbashkët dhe të përdorët një deklaratë e tillë në luftën e brendshme politike më duket paksa absurde”, përfundoi Kusari-Lila.