Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë drejt Londrës për të marrë pjesë në samitin e radhës të Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 22 tetor.
Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga Kurti, ndërsa pritet që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të diskutojnë mbi rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.
Procesi i Berlinit është një nismë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, e nisur në vitin 2014 me iniciativën e Gjermanisë, që synon forcimin e lidhjeve ekonomike, politike dhe infrastrukturore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Përveç takimeve zyrtare ndërqeveritare, samiti i këtij viti në Londër do të përfshijë edhe forumin e biznesit dhe të shoqërisë civile, ku do të diskutohet mbi projektet konkrete që ndihmojnë zhvillimin ekonomik dhe afrimin e rajonit me tregun evropian.
Samiti i Procesit të Berlinit është konsideruar një nga platformat më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, përmes së cilës vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të avancojnë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.


