“Ndoshta e mbani mend që në dimrin që shkoi, dikush thoshte se në shtator ka zgjedhje. Është e vërtetë që ka zgjedhje, por në LVV, të dielën e 25 shtatorit”. Me këtë fjali, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e nisi fjalimin gjatë shpalljes së kandidaturës së tij për një mandat të ri në krye të kësaj partie.
Të martën, Lëvizja Vetëvendosje është mbledhur dhe ka dëgjuar shpalosjen e platformës së Kurtit për mandatin e tij 4-vjeçar, si kandidati i vetëm për kryetar të partisë.
“Siç dihet kjo është hera e parë që unë vij për të kërkuar besimin tuaj për t’u rizgjedhur në krye të organizatës sonë. Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët për herë të parë, në shkurt të vitit 2021 u bëmë shumicë për herë të parë e këtë të premte bëhen 1 vit e gjysmë që jemi me drejtimin e Republikës sonë”, ka thënë Kurti më tej.
Derisa foli për sfidat me të cilat është përballur qeverisja e tij, si përballimi i pandemisë COVID-19 dhe i invazionit rus në Ukrainë, Kurti tha “se si shoqëri jo aq e zhvilluar dhe si shtet i ri, Kosova është goditur nga pasojat e këtyre krizave globale më shumë sesa shoqëritë më të zhvilluara”.
“Unë besoj që jemi më të duhurit për të udhëhequr me vendin në këtë kohë kritike. Detyra jonë është që t‘ia dëshmojmë popullit që duke na besuar neve ai ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme”, ka thënë ai.
Derisa kërkoi vetëbesim edhe për katër vjet të tjera, Kurti shpalosi 10 pikat themelore të platformës së tij programore.
“Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja, rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave, forcimi i shkollës politike, promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat, përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për zgjedhjet lokale 2025, përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë qeverisës, rritja e rrjetit të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje për mërgatën, angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes, dhe bashkëpunimi jashtë shtetit dhe brenda kombit tonë”, ka thënë Kurti.
Kandidaturë të martën kanë shpallur edhe Albulena Haxhiu dhe Behar Jashari.
Haxhiu ka kandiduar për drejtim të organit Lëvizja e Grave për Vetëvendosje, ku shpalosi platformën e saj me tri pika kryesore: Emancipimi gjinor, rritja e pjesëmarrjes së grave aktiviste në organizatë dhe ndalimin e seksizmit.
Ndërsa Jashari, i cili kandidoi për Lëvizjen e Rinisë për Vetëvendosje, ka treguar që disa nga qëllimet e kësaj organizate janë rritja dhe shtrirja e LVV-së, emancipimi politik, puna vullnetare, socializimi dhe sporti, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të orientimit social demokrat.
Zgjedhjet brendapartiake do të mbahen të dielën e 25 shtatorit.


