Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti ka folur për vendimin e Serbisë për të pranuar targat e Republikës së Kosovës për vetura.
“Më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit mbi bazën e shkronjës dhe frymës së Marrëveshjes Bazike, është një manovër e radhës, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd. Kështu duhet ta lexojmë të gjithë”, tha Kurti.
Kryeministri tutje tha se targat e veturave në Kosovë në shtator të vitit 2021, nga Serbia përdoreshin për të na kërcënuar edhe përmes aeroplanëve Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit sidomos nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar.
Kurse sipas Kurtit, tash, ato po përdoren për të ulur presionin nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike; për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë Bërnabiq drejtuar Këshillit Evropian me 13 dhjetor; dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë me 24 shtator.
“Në anën tjetër, gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit. Do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv. Vendimin tonë të barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore, do ta marrim sapo që Policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj.
Kjo qasje e jona përveçse e drejtë është edhe e arsyeshme”, përfundoi Kurti.