Kryeministri Albin Kurti ka pritur përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad, të shoqëruar edhe nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.
Fillimisht në këtë takim kreu qeveritar e ka njoftuar emisarin e Norvegjisë për punët që ka bërë ekzekutivi, si dhe arritjet dhe sfidat e qeverisjes.
“Krahas qeverisjes së mirë, kryeministri veçoi indikatorët ekonomikë të cilët tregojnë për rritje të eksporteve për 29.5% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për rritje të Investimeve të Huaja Direkte për 47% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe rritje ekonomike për 4.9% në tre mujorin e parë të këtij vitit pasi të zbritet inflacioni”, ka treguar përmes një njoftimi zyra për media e Qeverisë.
Kreu qeveritar ka thënë në këtë takim se fokusi i tyre është te menaxhimi i krizës energjetike, derisa ka folur për masat e ndërmarra deri tani e që përfshijnë subvencionimin e konsumit të energjisë elektrike për qytetarët dhe masat për eficiencën e energjisë elektrike.
Ndërkohë, në prag të Samitit të Berlinit, kryeministri Kurti u tha mysafirëve norvegjez se shpreson për një rifillim të Procesit të Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Scholz që do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe rolit mbështetës të rëndësishëm të shtetit norvegjez në zhvillimin e Kosovës dhe synimet e saja integruese euro-atlantike.
Në këtë takim nuk është lënë pa u prekur edhe tema e dialogut me Serbinë.
“Me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Bjørnstad u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut drejt marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke, u shpreh kryeministri Kurti, njofton ekzekutivi.