Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim një delegacion të përbërë nga anëtarë të stafit të Kongresit amerikan, pjesë e programit 2025 Balkan Forward Fellows, si dhe anëtarë të Atlantic Council, të organizuar nga think-tank i njohur The Atlantic Council.
“Në takim, Kurtii falënderoi pjesëmarrësit për interesimin dhe angazhimin e tyre ndaj rajonit, duke theksuar marrëdhënien e veçantë të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është forcuar ndër vite përmes mbështetjes dypartiake në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Ai i njoftoi mysafirët për zhvillimet aktuale në vend, përfshirë përparimin ekonomik, reformat demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e të drejtave të njeriut, të cilat, siç tha ai, evidentohen edhe nga raportet ndërkombëtare.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe reformat që po ndërmerren në këtë drejtim. Po ashtu, u fol për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe procesin e dialogut me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja. Kryeministri ritheksoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.