Në margjina të Tryezës së Rrumbullakët të The Economist, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi drejtoren për Evropën Juglindore të konferencave të The Economist, Nectaria Passarivakis.
Bëhet e ditur se u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, përfshirë këtu edhe planet për një tryezë ndërkombëtare të rrumbullakët të revistës së mirënjohur britanike në Prishtinë.
“Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti tregoi për të arriturat e Kosovës, raportet në Ballkanin Perëndimor, si dhe aspiratat evropiane dhe euro-atlantike të Republikës së Kosovës”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Në këtë tryezë të The Economist po marrin pjesë krerë shtetesh e diplomatë të rangut të lartë, politikanë të shquar e studiues eminentë nga e gjithë bota.