Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij në Facebook lidhur me kërkesën e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti ka theksuar se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit, duke vlerësuar se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare, e zhvilluar në rrethana të okupimit të egër dhe dhunës sistematike.
Sipas tij, çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik dhe politik i asaj kohe rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e luftës çlirimtare. Kurti ka theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur kurrë plan për shfarosjen e ndonjë populli tjetër apo të civilëve.
“Kërkesa e sotme e Prokurorisë nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit dhe injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë, duke e vendosur këtë çështje në një vakuum juridik,” ka shkruar Kurti.
Ai ka nënvizuar se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se lufta e UÇK-së ishte një kryengritje e drejtë anti-kolonialiste, ndërsa institucionet e vendit do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike dhe historike, si dhe vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e tyre.


