Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka kurrfarë mundësi për destabilizim si pasojë e vendimit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me dokumentet, që nis së zbatuari të hënën nga pala kosovare.
Kurti ka thënë se nuk po bëhet asgjë jolegjitime që të flitet për dhunë apo tensione.
“Në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Paqja demokracia sundimi i ligjit nuk kanë alternativë andaj edhe uroj besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne do t’ua shtojmë një fletëdeklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njëjësoj me çdo qytetar të Kosovës kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Nuk ka kurrfarë vendi për tension, s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim. Sepse po bëhet diçka legjitime, legale. Ata që flasin për dhunë, për bllokime, për destabilizim e për tensione flasin për vete jo për neve”, ka thënë Kurti.
Ai tutje shtoi se serbët që hyjnë në Kosovë, nga nesër thjesht “do ta kenë një dokument më shumë”.
“Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës. E di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri te kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti.
Ai tha se beson se nesër gjithçka do të shkojë “qysh është më së miri”.
Kryeministri i ftoi sërish qytetarët serbë që t’i zëvendësojnë targat “KM” nga koha e Millosheviqit, me targa të Republikës së Kosovës.
“Janë organet e rendit dhe drejtësisë që i marrin vendimet për shkeljet e ligjit”, tha ai.