Kryeministri Albin Kurti nuk ka komentuar organizimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e Asociacionit.
Ai ka thënë shkurt se beson që të pranishmit në takim do ta thonë fjalën e tyre.
Një ditë më parë, Ambasada bëri të ditur se ka marrë konfirmim nga Zyra e Kryeministrit dhe e Presidentit se do të dërgojnë përfaqësues në takim.
“Vetëm sa ka filluar takimi, besoj që ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Kurti, i pyetur nga gazetarët pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në sheshin në kryeqytet.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar para takimit që pritet të mbahet në Ambasadën amerikane ku kryetemë është çështja e Asociacionit.
Osmani ka thënë që “gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë”, njofton Kosovanews.
Ndryshe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë sot i ka thirrur në takim përfaqësues të pozitës, opozitës dhe të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.