Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka ftuar të mërkurën edhe një herë të gjitha partitë e kandidatët që të regjistrohen për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në veri të vendit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.
Ata u dorëhiqen për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.
Në ditën kur afati për aplikim dhe konfirmim të subjekteve politike dhe të kandidatëve skadon, kryeministri Kurti bëri thirrje për pejsëmarrje sa më të madhe.
“Është me rëndësi për të gjithë ata që duan të angazhohen për politika publike, në nivelin komunal me këtë rast për katër komunat në veri, dhe që duan t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të pakicave serbe, ta shfrytëzojnë këtë mundësi në këto orë të fundit”, është shprehur Kurti.
Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.
Por, për këta të fundit kryeministri Kurti sqaroi pse s’ka bërë thirrje për kthim në institucione, por për aplikime të reja.
“Atij që e hodhi uniformën e Kosovës, unë nuk i them dot kthehu, ose atij që shkoi dhe mori medalje në Beograd pas dorëheqjes. Por, të tjerët që janë të interesuar, ne e mirëpresim aplikimin e tyre, dhe nga informatat që i kam nga MBP-ja, aplikimi sa vjen e rritet”, tha Kurti.


