Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës që i bëri sot Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Komunës së Tetovës, mori pjesë në përurimin e rrugës që lidh fshatin Sellcë me fshatin Vicë.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti duke e vlerësuar të rëndësisë së veçantë përurimin e kësaj rruge, tha se zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës nuk duhet të jetë i rezervuar për zonat urbane, për qytetet e qytezat, por duhet të jetë edhe zhvillim rural.
“Në bazë të llogaritjeve, parallogaritjeve të cilat janë bërë nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia. Aksi që lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje midis dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu im maqedonas, Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejt me punimet dhe me realizimin e këtij projekti madhor i cili është rajonal dhe ndihmon shumë në zhvillimin e të dyja vendeve tona”, tha kryeministri Kurti.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ndërkaq tha se rruga Prizren-Tetovë është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, andaj edhe menjëherë është nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë. Ai tha se kjo rrugë është e rëndësisë shumë të madhe edhe për zhvillimin e turizmit, edhe për afrimin e dy qyteteve, Prizrenit me Tetovën, për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve, sepse shkurtohet rruga në masë të madhe.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se është nder për të që bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të përurojnë një segment të rrugës nga Tetova deri në Vicë, një investim që është i një rëndësie të veçantë për rajonin e Malësisë, por edhe për Komunën e Tetovës, e cila me investime të mëtutjeshme do të angazhohet që të jetë një aks i rëndësishëm edhe i turizmit malor ndërmjet dy shteteve, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës. Ai ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, ministrat dhe qeverinë për angazhimin e tyre në drejtim të lidhjes së Tetovës me Prizrenin.


