Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në e Hapjen e Konferencës “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”, me ç’rast tha se është e rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.
Ai bëri këto komente në konferencën e organizuar nga Kolegji UBT në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
“Urbanizmi i Ri, me premisat e tij për të ndërtuar Qytete më të qasshme; më të jetueshme; më funksionale e me më shumë vlera estetike; më të sigurta, miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira publike më kreative e më të gjalla, – është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën’’ u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha se përveç Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat, në bashkëpunim horizontal me ministritë tjera, dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin cilësinë e jetesës.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, theksoi kryeministri, duke shtuar se ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm, por është i domosdoshëm për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë.
Kreu u ekzekutivit përmendi edhe projektet ambicioze si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, Porti i Thatë i Durrësit në Prishtinë, rrugët Prizren-Tetovë, etj.
Më tej, ai tha se me mbi 60 milionë euro të ndara për këtë vit do të vazhdojnë punimet në shumë rrugë të Kosovës.
“Përveç projektit ambicioz për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe ndërtimit të Portit të Thatë të Durrësit në Prishtinë, rrugës Prizren-Tetovë dhe asaj Pejë-Rozhajë, me të cilat do t’i forcojmë lidhjen e komunikimin me të tri shtetet, jemi të vendosur që të përfundojmë edhe projekte të tjera madhore brenda Kosovës”, tha ai, duke shtuar se është edhe autostrada e Gjilanit, rruga Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë etj.
Në këtë organizim ka qenë i pranishëm edhe veprimtari i shquar i mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema.
Shefi i ekzekutivit theksoi se Kosova i ka borxh veprimtarit Jim Xhema për kontributin e tij, ani pse pak është përmendur.
“Urbanizmi i ri me premisat e tij për të ndërtuar qytete më funksionale dhe me më shumë vlera, është ndër përpjekjet bashkëkohore për njeriun dhe natyrën. Kështu bashkë e jo në kurriz të njëra tjetrës. Kemi kompletuar data bazën kombëtare, synojmë deri më 2023 që të gjitha komunat t’i kenë të përfunduara data bazat gjeo-hapësinore për të cilat janë ndarë 400 mijë euro”, theksoi Kurti.
Ndërsa, veprimtari Jim Xhema ka thënë se edukimi është esencial për çdo vend që të ketë sukses për të përballuar ardhmërinë.
“Është imperativ që ju të merrni studimet shumë seriozisht, pa ju dhe gjeneratën që tani rritet në Kosovë ne do të jemi në situatë të vështirë që të zëvendësojmë gjeneratat e vjetra. Unë personalisht do të qëndroj i kyçur këtu me ju dhe të themeloj fonde personalisht dhe nga shokët e mi qe të sigurohemi që ne i arrijmë qëllimet së bashku. Ne kemi arrit shumë, por udhëtimi juaj është i gjatë”, ka thënë ai para të pranishmeve.
