Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në qytetin Poznan të Polonisë, ku sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare IMPACT 2025, e cila këtë vit shënon edicionin e saj të 10-të, transmeton KosovaNews.
Në prag të konferencës, mbrëmjen e kaluar, Kurti ishte pjesëmarrës në një darkë zyrtare të shtruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, dhe drejtori i konferencës, Sławomir Sierakowski. Gjatë këtij takimi, ai zhvilloi biseda me disa figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë ministrin Sikorski, publicisten Anne Applebaum, ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe shkrimtaren dhe fituesen e Çmimit Nobel, Olga Tokarczuk.
Me këtë të fundit, Kurti diskutoi për politikën, kulturën dhe letërsinë, duke e informuar për përkthimin e veprave të saj në gjuhën shqipe.
Gjithashtu, kryeministri pati rastin të bisedojë edhe me historianin amerikan Timothy Snyder dhe mendimtarin e njohur polak, Adam Michnik, me të cilin ishte takuar më parë në tetor 2024 gjatë një vizite në gazetën Gazeta Wyborcza në Varshavë.
Në sesionin e paradites të konferencës IMPACT 2025, kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen zyrtare të saj, që u çel me fjalën e ministrit Sikorski. Në kuadër të vizitës, ai realizoi edhe një intervistë për televizionin publik polak TVP World në gjuhën angleze.
Gjatë qëndrimit në Poznan, Kurti u takua edhe me historianin, etnologun dhe albanologun polak, Jaroslaw Rosochacki, ish-konsull nderi i Shqipërisë në këtë qytet. Z. Rosochacki, i njohur për angazhimin e tij ndaj çështjes shqiptare që nga vitet ’70, është vizitor i hershëm i Kosovës që nga viti 1978. Kryeministri e falënderoi për përkushtimin e tij shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare.
Kryeministri Kurti pritet të kthehet sot në Kosovë, ku në ndërtesën e Qeverisë do të mirëpresë Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.