Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak orë para nisjes së Konventës Kombëtare Demokratike ku edhe do të jetë pjesëmarrës, zhvilloi një takim me kongresistin James P. McGovern. Ky ishte takimi i dytë mes tyre, pas atij në Washington, në majin e dy viteve më parë.
Bëhet e ditur se Kurti i shprehu mirënjohjen për përkrahjen e pareshtur të Kongresit ndaj Kosovës dhe për kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe etapat shtetndërtuese të Kosovës.
“Kryeministri Kurti e njohu kongresistin McGovern me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë në tri vitet e fundit. Ai tha se rankimet ndërkombëtare të Kosovës qëndrojnë si dëshmi e fuqishme e avancimit tonë si shtet demokratik, teksa si Qeveri jemi angazhuar maksimalisht në shpërndarje të barabartë të zhvillimit tonë ekonomik tek të gjithë qytetarët”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Gjithashtu bëhet e ditur se Kurti kjo përfshin dhe përkrahje të theksuar për integrim për të gjitha komunitetet, dhe përfshirjen e tyre brenda sferave të jetës shoqërore, si në aspektin ekonomik, po ashtu dhe në atë institucional. Në kuadër të disa prej masave e politikave të ndërmarra nga Qeveria, ai përmendi ndër të tjera rindërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë dhe pilotimi i projektit për edukim të përbashkët mes komuniteteve shumicë dhe joshumicë.
“Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e tij dhe takimin e frytshëm, Kurti e falënderoi kongresistin McGovern për bisedën dhe veçanërisht për avokimin e vazhdueshëm për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, të cilët u vranë padrejtësisht nga forcat serbe në vitin 1999”, thuhet në njoftim.