Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka krititkuar shpër gjyqësorin në Kosovë që nuk po e bën punën ashtu siç kërkohet, të fuqizojë sundimin e ligjit me profesionalizëm. Ai ka thënë se përkundër garancive kushtetuese, gjyqësori në Kosovë duket sikur mundohet ta bëjë të kundërtën.
Në konferencën e përbashkët të dielën me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Kurti përmendi raste kur një i dënuar për dhunim seksual ec i lirë nëpër rrugë të kryeqytetit, kur dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, nuk rehabilitohet, e përsëritë veprën e madje edhe vret.
Për këtë arsye, sipas tij, nuk ka alternativë tjetër pos vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial.
“Fuqia që vjen nga pozita e gjyqtarit dhe prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit, për të garantuar të drejtat e secilit, e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi, maturi e profesionalizëm. Gjyqësori ynë përkundër të gjitha garancive kushtuese ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar dhe i dënuar për shumë vepra penale ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, e përsërit veprën e madje edhe vret, nuk ka alternativë ndaj vetingut të sistemit gjyqësor e prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi e edhe ata më skeptikët për vetingun”, ka thënë Kurti.
Këtë adresim për media, Kurti e Haxhiu e mbajtën një ditë pas njoftimit se janë arrestuar edhe gjashtë persona që dyshohet se e kanë trafikuar në qershor 11-vjeçaren që dyshohet se u dhunua nga pesë persona në fund të muajit gusht.
“Gjatë kësaj jave na tronditi të gjithë lajmi nga krimi që për viktimë e kishte vajzën 11 vjeçare, në taste si këto i humbë kuptimi zbatimi, respektimi i ligjit, të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekës së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore që kanë për detyrë ndjekjen e atyre që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se nëse kryesi i veprës penale ka qenë i dënuar por gjendet i lirë, dështon zinxhiri institucional.
“Kur kryesi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale dhe gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional për ndjekjen e veprës penale, policia, prokuroria dhe gjykata, dështon drejtësia, kurse faturën e paguan qytetari. Me qëllim të koordinimit me gjithë akterët politikë në vend kam thirrur takim me liderët e opozitës ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vetingut të arrijë konsensus të plotë, me përjashtim të LDK-së të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takime”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se të dhënat tregojnë që rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale, ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.
Duke folur për rastin e 11-vjeçares së dhunuar nga pesë persona në fund të gushtit në Prishtinë, e cila ishte viktimë e trafikimi në muajin qershor, Kurti tha se në 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale, viktimat kanë qenë vajza të mitura.
Ai më tej tha se edhe rreth 140 prokurorë, nga gjithsej 200 sa janë në Kosovë, kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.
“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”, ka thënë Kurti.