Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dhënë fjalë të mira kabinetit qeveritar që ai udhëheq, në mbledhjen e 100-të që është mbajtur të mërkurën, duke thënë se “qeverisje më të mirë Kosova s’ka pasur kurrë”.
Kurti tha se gjatë kësaj kohe sa janë duke udhëhequr qeverinë, kanë arritur disa objektiva.
“Ne kemi premtuar të që të zhvillojmë politika të transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje. Janë ulur shpenzimet e panevojshme, janë ndalur ndërhyrjet në proceset e emërimeve në ndërmarrjet publike dhe në pozita e larta drejtuese”, tha Kurti.
Ai theksoi se i kanë rikthyer sistemin e financave publike në binar dhe se për një vit e gjysmë vendi ka shënuar rritjen historike ekonomike.
“Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti kemi 4.9 për qind të bruto produktit vendor”, tha Kurti.
Kryeministri përmendi edhe rastet e tjera dhe veprimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës, duke përmendur edhe rastin e ‘Terminalit doganor’ në Han të Elezit.
Po ashtu, sipas tij, e arritur është dhe një rast që Kosova e ka fituar në arbitrazh ndërkombëtar e që buxhetit të Kosovës, ia kanë shpëtuar mbi 65 milionë euro.
I pari i qeverisë foli edhe për sfidat që i ka Qeveria e Kosovës, e që sipas tij janë 400 ligje që janë në kundërshtim me njëri tjetrit.
“Përkundër dukurive negative që jemi përballur dhe po përballemi, si qeveri kemi arritur më shumë suksese se çdo qeveri paraardhëse. Për një vit e gjysmë qeverisje kemi rritje, e anti-korrupsion, kemi qeveri social-demokrate e me stabilitet institucional, dhe kemi rikthyer sistemin e financave publike në binar”, tha ai.
Mes tjerash Kurti tha se gjatë qeverisjes së tij janë shtuar mbi 15 mijë vende të reja të punës në Kosovë.



