Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një telefonatë me senatorin amerikan Chris Murphy të premten.
Kurti i ka thënë se është i gatshëm që të vazhdojë diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së.
“U diskutua edhe për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.
Siç njoftohet nga Kryeministria, ata folën edhe për marrëdhëniet e veçanta dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për progresin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës.