Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se barrikadat e vendosura më 31 korrik në veri për t’i kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se për dokumentin që lëshohet në pikat kufitare në veri, në kuadër të vendimit për reciprocitet për dokumente, nuk do të duhet të bëhet pagesë.
“Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të do të konfiskohen në veri në këmbim për dokumentin për hyrje – dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti është shtesë që jepet pa pagesë. Ju bëjë thirrje që të përcjellni me vëmendje njoftimet nga Qeveria e jonë dhe organet bartëse. Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart. Ato as nuk përfaqësojnë juve qytetarë tanë e as nuk ju mbrojnë ju, kurse në anën tjetër Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë edhe përbëhen nga qytetarë tanë pa dallim edhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në fillim të mbledhjes së sotme iu ka bërë sërish thirrje serbëve që t’i ndërrojnë targat e automjeteve të tyre në RKS.
Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë sqarimet për procedurat dhe lehtësitë lidhur me këtë çështje.
“MPB ka publikuar të gjitha njoftimet në gjuhën shqipe dhe serbe, teksa ka pasur edhe aktivitete informuese në terren për këtë çështje”, tha Kurti.
Ai tregoi për përfitimet e qytetarëve serbë nga konvertimi i targave të automjeteve të tyre.
“Konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në gjithë Republikën tonë”, tha Kurti.
Në këtë rast, kryeministri përmendi lirimin nga taksat dhe tarifat me këtë rast, që tha se “në vlerë totale kapin shifrën prej rreth 5 mijë euro”.