Në orën 8 e 30 pritet të zhvillohet takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi para kohës kur është caktuar të mbahet vazhdimi i nëntë i seancës konstituive.
Kurti, i ka ftuar në takim të përbashkët kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Përmes letrave dërguar atyre, Kurti ka thënë se takimi ka për qëllim konsultativ për konstituimin e Kuvendit.
“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka konfirmuar gatishmërinë për takim, e LDK-ja i është përgjigjur negativisht ftesës.
Krasniqi, ka njoftuar se do të shkojë në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për konsultime për konstitutim të Kuvendit.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka thënë se e inkurajon Kurtin që të reflektojë mbi situatën e krijuar dhe të gjej një kandidat siç ka thënë ai, të përshtatshëm për kryetar të Kuvendit.
“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale. Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka shkruar kreu i PDK-së.
Ai ka shkuar se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo sipas tij, është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.
“Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar. Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media”, ka shkruar Krasniqi.
Kurse përfaqësues të LDK-së kanë refuzuar takimin. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka theksuar se pozita e nënkryetarit që i takon LDK-së nuk është objekt diskutimi me asnjë parti politike.
“As kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit, që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, është në bazë të rezultatit zgjedhor dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për më tepër, nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka deklaruar Bajrami.
Thirrja e Kurtit për takim erdhi pasi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.
Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.
“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, ka shkruar Rohde.
Sot në orën 10:00, Kuvendi do ta bëjë përpjekjen e nëntë për konstituim.