Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se në Fushë- Kosovë po ndërtohet një hapësirë e re moderne e dedikuar për gjimnastikë, me një investim prej 2 milionë eurosh. Lajmi u publikua pas vizitës së tij dhe ministrit të Sportit, Hajrulla Çeku, në objektin ku po zhvillohen punimet.
Palestra e gjimnastikës është projektuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe po shndërrohet në një hapësirë të avancuar për përgatitjen e talentëve të rinj dhe sportistëve profesionistë. Punimet, siç raportohet, po vazhdojnë me dinamikë të lartë.
“Ky investim sjell mundësi dhe kushte të denja për zhvillimin e këtij sporti. Për sportin, për të rinjtë tanë, për të ardhmen”, ka shkruar Kurti, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së sportit në çdo komunë të vendit.
Palestra pritet të shërbejë si qendër e rëndësishme për zhvillimin e gjimnastikës dhe për rritjen e kapaciteteve të sportistëve të rinj në Fushë Kosovë dhe më gjerë.


