Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri sot homazhe në Poklek në 26-vjetorin e masakrës së Poklekut.
Më 17 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë i vranë 53 civilë shqiptarë. 25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18 vjeçare. Prej tyre 18 ishin më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje, prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Pasi i vranë, forcat serbe u kthyen dhe i dogjën kufomat dy herë.
Qeveria njofton se pas homazheve, kryeministri në detyrë Kurti, i shoqëruar nga deputetë të zgjedhur të Kuvendit, vizituan Shtëpinë Muze të Familjes Muqolli, e realizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, brenda së cilës brenda ruhen kujtimet për të vrarët në masakrën makabre.
Sipas njoftimit, Kurti vazhdoi për në Çikatovë të Vjetër, ku bëri homazhe në përkujtim të Masakrës së Çikatovës. Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje u nderuan 25 shqiptarët që u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe sot 26 vjet më parë.
Në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve, kufomat e Masakrës së Çikatovës, forcat e armatosura të Serbisë i morën dhe i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.
Kurti ritheksoi se këto krime nuk mund të zhduken e as të harrohen. “E përjetshme është kujtesa e sakrificës së madhe për liri dhe i përjetshëm është kujtimi për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit”, thuhet në njoftim.