Kosova ka përmbyllur me sukses Kampionatin Evropian të xhudos për vitin 2025 që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi, sipas trajnerit Driton kuka.
“Me ekip të përgjysmuar për shkak të lëndimeve, nga Podgorica po kthehemi me një të artë, një vend të shtatë dhe me paraqitje të mira të gjithë ekipit prej katër garuesve. Distria shkëlqeu, Akili luftoi si kolos, Dardani na befasoi për të mirë, dhe Laurina fitoi përvojë. Bravo për të gjithë”, ka shkruar Kuka.
Ai ka shkruar për secilin garues, duke filluar nga Distria Krasniqi.
Në ditën e parë të garave, të mërkurën, Distria Krasniqi shkëlqeu në tatami duke triumfuar në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo u shpall kampione e Evropës dhe siguroi medaljen e artë për Kosovën.
Në të njëjtën ditë, në gara mori pjesë edhe xhudistja e re Laurina Gashi, e cila, sipas trajnerit Kuka, po grumbullon përvojë për sfidat e ardhshme.
Ditën e dytë, të enjten, në garë u përfshinë edhe Akil Gjakova dhe Dardan Cena në kategorinë deri në 73 kilogramë. Gjakova arriti deri në çerekfinale, ku pas një lufte epike prej 16 minutash u mposht nga legjenda e xhudos, Lasha Shavdatuashvili. Për shkak të lodhjes ekstreme, as Gjakova në repasazh e as Shavdatuashvili në gjysmëfinale nuk arritën të fitonin luftërat e radhës. Akili përfundoi Evropianin në vendin e shtatë.
Ndërkohë, Dardan Cena bëri një paraqitje pozitive, duke fituar dy duele ndaj kundërshtarëve nga Izraeli dhe Ukraina, por u ndal nga një xhudist rus në raundet pasuese.