Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Enver dhe Emir Sylkës, të cilët nga Gjykata Themelore në Gjakovë ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me gjithsej 36 vjet burg për vrasjen e N.V., ndodhur në shtator 2023 në Rahovec.
Sipas vendimit të Themelores më 16 shtator 2024, Emir Sylka ishte dënuar me 22 vjet e 6 muaj për “vrasje të rëndë” dhe 1 vit për “mbajtje pa leje të armëve”, me dënim unik prej 23 vjetësh. Babai i tij, Enver Sylka, ishte dënuar me 13 vjet burg për “vrasje e rëndë në shtytje”.
Kundër këtij vendimi kishin ankimuar Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Besnik Berisha dhe Dafina Osmani, të cilët kërkuan ndryshimin e aktgjykimit ose kthimin në rigjykim, për shkak të shkeljeve procedurale dhe mungesës së analizës së duhur të provave.
Apeli konstatoi se Gjykata Themelore kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurale. Nuk ishin arsyetuar mjaftueshëm vendimet për çdo pikë të aktgjykimit, nuk ishte bërë vlerësimi i plotë i provave, dhe mungonin analizat e nevojshme të rrethanave. Gjykata kishte refuzuar propozimet e mbrojtjes pa arsyetime bindëse, përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve, shikimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit.
Gjithashtu, sipas Apelit, Themelorja kishte dështuar të shqyrtonte në mënyrë të duhur video-incizimin e ngjarjes, i cili shihet si thelbësor për vërtetimin e faktit nëse i pandehuri Emir ka vepruar në mbrojtje të nevojshme.
Në vendim thuhet se aktgjykimi i Themelores përbën një “copy-paste” të procesverbaleve të shqyrtimit gjyqësor, pa analizë të rrethanave dhe fakteve. Refuzimi i provave nga mbrojtja është cilësuar si shkelje e parimit të barazisë së palëve.
Apeli vë në pah se edhe për veprën e “armëmbajtjes pa leje” mungonin arsyetimet për matjen e dënimit dhe për rrethanat lehtësuese ose rënduese.
Për të gjitha këto arsye, Apeli ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim. Themelorja, në rivendosje, duhet të eliminojë shkeljet procedurale, të trajtojë të gjitha provat, përfshirë video-incizimet, dhe të japë arsye të qarta për çdo vendim në proces.
Ndaj të akuzuarve është vendosur vazhdimi i paraburgimit, me arsyetimin se ekzistojnë ende bazat ligjore për mbajtjen e kësaj mase.