Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur sot në një takim pune ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Vizita e ministrit u fokusua në projektet e përbashkëta që po realizohen në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë në Ferizaj, të cilat pritet të sjellin zhvillim të mëtejmë në këto sektorë.
Në një deklaratë për media, kryetari Aliu u shpreh se bashkëpunimi mes komunës dhe MKRS-së po sjell rezultate konkrete dhe vizita e sotme është një dëshmi e angazhimit të përbashkët.
“Ferizajn e vizitoi sot Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, me të cilin bashkëbiseduam mbi projektet e përbashkëta të sportit, kulturës e rinisë në Ferizaj, investime këto që i japin dimension të ri zhvillimi këtyre fushave,” deklaroi kryetari Aliu.
Takimi u vlerësua si hap i rëndësishëm drejt avancimit të infrastrukturës kulturore e sportive në qytet, teksa të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar intensifikimin e projekteve në të mirë të qytetarëve të Ferizajt.


