Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar suksese kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. “Ish-kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, shkroi Kurti.
Kurti shprehu besimin që Maqedonia e Veriut do të jetë partnere e Kosovës, ndërsa tha se për disa synime që u përmendën sot, është i sigurt që do të bashkëpunojë me Xhaferin. Ndërkaq, ka zgjedhur që në të njëjtin postim ta përgëzojë edhe kryeministrin e deritashë, Dimitar Kovaçevskin.
“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, shkroi Kurti në profilin e tij në Facebook.


