Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Mynih të Gjermanisë.
Ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë (Munich Security Conference).
Në këtë konferencë pjesëmarrëse do të jetë edhe zëvendësja e tij, Donika Gërvalla.
Në margjinat e kësaj konference, e cila mbledh çdo vit përfaqësuesit më të lartë të shteteve dhe ekspertët e sigurisë, në njoftimin e ministrisë së jashtme që drejtohet nga Gërvalla u tha se ajo përveç pjesëmarrjes në panele diskutimi, do të mbajë takime bilaterale me homologë nga shtete të ndryshme.
Konferenca në Mynih, si një prej ngjarjeve më të mëdha rreth sigurisë për rendin global, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe rrjetet e bashkëpunimit, është një mundësi e mirë për të paraqitur qëndrimet, për të diskutuar sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, politikat dhe veprimet që duhet ndërmarrë si dhe koordinimin me shtetet aleate në ruajtjen dhe promovimin e sigurisë në rajon, Evropë dhe botë.