Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence.
Në një njoftim për medie thuhet se znj. Spence përgëzoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për faktin se janë mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar zotimet e tyre për Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) në platformën elektronike të OKB-së.
“Duke biseduar për zotimet e Kosovës, u theksua angazhimi i Qeverisë për të përshpejtuar përmbushjen e premtimit për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Agjendës 2030. U ritheksuan zotimet transformuese të Qeverisë që do të fokusohen në katër prioritetet kryesore të politikave: për të zvogëluar shkallën e varfërisë, për të rritur kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme, për transformim digjital, si dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor”, thuhet në njoftim
Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës me UNKT, në njoftim thuhet se është ritheksuar gatishmëria për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
“U diskutuan mënyrat konkrete të angazhimit të përbashkët të agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë”.

