Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që në ditët në vijim të zhvillojë një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, e cila njoftoi për takimin e Kurtit që e zhvilloi të enjten me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
“Ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë dhe një takim bilateral me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Siç ka njoftuar ZKM-ja, gjatë bashkëbisedimit është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve.
“Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, thuhet tutje në njoftimin e lëshuar nga ZKM-ja.
Ndër të tjera, në takimin me ambasadorin turk, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës.