Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Bashkësinë Islame në Prishtinë për festën e Kurban Bajramit.
Kurti ka falënderuar myftiun Naim Tërnava dhe Bashkësinë Islame për rolin që ka luajtur në vazhdimësi.
“Për festën e Kurban Bajramit vizitën e parë e bëra në Bashkësi Islame, për t’i uruar myftiut Naim Tërnava e bashkëpunëtorëve të tij. Për t’ju falënderuar përsëri për rolin, angazhimin e kontributin që edhe Bashkësia Islame e edhe myftiu si udhëheqës e ka luajtur në vazhdimësi. Dhe gjithashtu për të uruar njëkohësisht të gjithë besimtarët për këtë festë të sakrificës. Të mirat duke i ndarë nuk zvogëlohen. Të mirat duke i ndarë, bëhen të mira për më shumë vetë, bëhen të mira për shumicën, bëhen të mira për të gjithë. Andaj edhe mirëqenien duhet ta ndajmë, e sakrifica ia vlen. E nuk ka ditë më të përshtatshme për ta kujtuar këtë dhe për ta kontrektizuar, sesa festa e Kurban Bajramit”, tha Kurti, pas takimit me Tërnavën.
Myslimanët në gjithë botën festojnë sot Kurban Bajramin. Në Kosovë, manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në kryeqytet.
Mëngjesin e hershëm të së mërkurës është falur namazi i Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë e Kosovës.
Manifestimi qendror në Kosovë, kushtuar kësaj feste, u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë nën prirjen e kryeimamit të Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili, duke u lutur që të mbretërojë paqja, harmonia, solidariteti te njerëzit, përmendi edhe elemente negative në shoqërinë tonë si dhunën në familje.




