Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar për Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence.
Në fjalën e tij në këtë ngjarje, kryeministri tha se Arnhild Spence mori drejtimin si Koordinatore në një kohë trazirash globale, me botën që përballej me sfida të shumta, nga pushtimi rus i Ukrainës deri te ndikimi në kostot globale të jetesës dhe krizat energjetike. Ai tha se gjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova pati fatin ta kishte Arnhild si një partnere të ngushtë të Qeverisë.

“Edhe falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer, zhvillimi i vendit tonë jo vetëm që vazhdoi në trajektoren e duhur, por edhe ka lulëzuar përkundër këtyre sfidave. Ky progres i jashtëzakonshëm vazhdon të konfirmohet në të dhënat e fundit, të cilat tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2025, ekonomia e Kosovës u rrit me një normë vjetore prej 3.6%”, tha kryeministri Kurti.

Në vijim kryeministri Kurti vlerësoi lartë mbështetjen e Koordinatores Spence, duke thënë se ajo ka luajtur një rol thelbësor në bashkëpunimin e Qeverisë me ekipin e OKB-së.
Po ashtu, potencoi se të frymëzuar nga përkushtimi juaj, do të vazhdojmë të përparojmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të punojmë drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më shpresëdhënëse për brezat që do të vijnë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar mysafirë, kolegë dhe miq,
Është një moment i ëmbël por edhe i hidhur njëkohësisht; jemi mbledhur këtu për të festuar punën e mikes dhe partneres sonë, znj. Arnhild Spence, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara — por gjithashtu, me keqardhje, për t’i dhënë asaj lamtumirën.
Arnhild mori drejtimin si Koordinatore për Zhvillim në një kohë trazirash globale, kur bota po përballej me shumë sfida, nga pushtimi i paligjshëm i Ukrainës nga Rusia, deri te krizat globale të kostos së jetesës dhe të energjisë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova pati fatin ta kishte Arnhild një partnere të ngushtë të Qeverisë. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes nesh, zhvillimi i vendit tonë jo vetëm që mbeti në rrugën e duhur, por përkundër këtyre sfidave, lulëzoi. Ky progres i jashtëzakonshëm vazhdon të konfirmohet edhe nga të dhënat e fundit, të cilat tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2025, ekonomia e Kosovës është rritur me normë vjetore prej 3.6%.
Por, sigurisht, drejtësia sociale nuk matet vetëm me shifra dhe statistika. Me ndihmën e ekipit të Arnhildit dhe partnerëve të tjerë, kemi siguruar që rritja ekonomike e Kosovës të shpërndahet në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët tanë, përmes iniciativave për barazi gjinore, të drejtat e punëtorëve, mbrojtjen e mjedisit, luftën kundër diskriminimit, zgjerimin e mundësive për komunitetet joshumicë dhe shumë më tepër.
Arnhild, rrugëtimi yt në Kosovë ishte rrugëtim i angazhimit dhe përkushtimit. E ke udhëhequr partneritetin tonë me kujdes, duke reflektuar jo vetëm profesionalizmin tënd të lartë, por edhe humanizmin tënd të thellë.
Mbështetja jote personale ka pasur rol thelbësor në bashkëpunimin e Qeverisë me të gjithë ekipin për zhvillim të OKB-së. Gjatë mandatit tënd, Qeveria ka forcuar mekanizmat ligjorë për bashkëpunim të strukturuar dhe efektiv me agjencitë e OKB-së, duke thelluar partneritetet në fusha strategjikisht të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve tanë.
Diplomacia jote norvegjeze, e përzier me bujarinë kosovare, ka rezultuar të jetë recetë e shkëlqyer. Arnhild, ke punuar kudo, nga Republika Demokratike e Kongos deri në Pakistan, por shpresojmë se qëndrimi yt në Kosovë të ka mësuar më në fund artin e vërtetë të shijimit të tre kafeve përpara mesditës.
Në një ton më serioz, shpresoj që në mozaikun e gjerë të kujtimeve të tua globale, kultura jonë e gjallë dhe mikpritja e njohur do të kenë një vend të veçantë në zemrën tënde — ashtu siç do të kesh gjithmonë një vend të çmuar në tonën. Përtej një partnereje për zhvillim, ti ke qenë një mike e Kosovës, e përkushtuar për të parë vendin tonë të lulëzojë.
Me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi përparimin që kemi bërë së bashku, duke punuar drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të qëndrueshme në përputhje me Agjendën 2030.
Së bashku, mbetemi thellësisht të përkushtuar ndaj vizionit tonë të përbashkët për një botë më të drejtë dhe të qëndrueshme. Të frymëzuar nga përkushtimi yt, do të vazhdojmë të avancojmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të punojmë për një të ardhme më të ndritur dhe më shpresëdhënëse për brezat që do të vijnë.
Faleminderit, Arnhild, për kontributin tënd të jashtëzakonshëm. Të urojmë suksese të vazhdueshme, shumë lumturi dhe përmbushje profesionale e personale në kapitullin tënd të ardhshëm.
Gëzuar dhe suksese!