Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës dhe kryeministri Albin Kurti i ka ftuar ministrat e tij për takim në orët e pasdites.
Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës sot nga ora 16:00.
Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, por nuk janë dhënë më shumë detaje.
Qeveria e Kosovës është pak ditë para se të përfundoj afati kur serbët në veri mund të pajisen me targa RKS dhe t’i zëvendësojnë targat që i kanë me akronime serbe për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme.
Përderisa Serbia po kërcënon me barrikada, dhe Kosova po insiston se riregjistrimi ka të bëjë me sundimin e ligjit, Bashkimi Evropian u ka kërkuar palëve që të shmangin përshkallëzimin e situatës.
Nga BE-ja thanë se po punojnë, së bashku me partnerët, që të gjendet një zgjidhje për targat para 31 tetorit.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për 10 muaj afatin për riregjistrim. Por, sipas të dërguarit të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kosova ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese./KosovaNews/


