Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.
“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë, shkruan REL.
Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”.
“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.
Orban po ashtu tha se Hungaria, që e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Serbia ende refuzon ta pranojë, po përcjell ngjarjet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne po e shohim se çfarë po iu bëhet serbëve. Mendoj se është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të pranojë zgjedhje, ku kanë marrë pjesë rreth 4 për qind e votuesve, dhe t’i konsiderojë ato ligjore dhe të njohë rezultatet. Kjo është ajo që ne shohim dhe është e qartë për ne”, shtoi Orban.
Gjatë konferencës për media me Orbanin, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se në rastin e tre policëve të kidnapuar po punon “me autoritetet kompetente”.
Ai shtoi se do të shqyrtojë çdo kërkesë të Hungarisë.
Vuçiq përsëriti se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas ftesës që u është dërguar dy liderëve nga Bashkimi Evropian për një takim për menaxhimin e krizave.
Ai përsëriti kërkesat e Serbisë, në mënyrë që të zhvillohet takimi me Kurtin: tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe ndalimin e arrestimit të serbëve.
Ftesa e Brukselit për Vuçiqin dhe Kurti erdhi pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës.
Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe të cilët ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët.
Ndërkaq, BE-ja dhe ShBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.


