Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë dalë në një konferencë të përbashkët për medie, me ç’rast kanë dhënë detaje për zhvillimet e fundit në vend, sidomos për pjesën veriore, ku serbë të organizuar nga bandat kriminale nën ndikimin e Serbisë, bllokuan rrugët.
Kryeministri ka thënë se nuk do të lejojnë destabilizimin e situatës në vendin tonë.
Ai sërish përsëriti qëndrimin se zbatimi i vendimeve të Qeverisë do të shtyhet nëse hiqen të gjitha barrikadat e vendosura në veri.
“Në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë për datën 1 shtator 2022. Janë 9 barrikada në veri, dhe presim që të hiqen të gjitha sot gjatë ditës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka theksuar se vendimet e Qeverisë së Kosovë nuk bëhen asnjëherë mbi bazën e identitetit etnik.
“Dhuna nuk do të tolerohet, dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës me forcën e ligjit”, tha Kurti.
Kurti falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre ambasadorin amerikan Jeff Hovenier dhe shefin e diplomacisë të BE-së, Josep Borrell.
“Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan i cili i shqetësuar sikurse ne kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona”, tha Kurti.
Ai shtoi se e kuptojnë brengën e faktorit evropian e amerikan për siç tha “efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi dy vendimet tona, andej kemi shprehur gatishmërinë që zbatimi i tyre të shtyhet për 1 shtator menjëherë sapo të hiqen barrikadat”
“I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, BE-së dhe NATO-së që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat janë të nxitura e të financuara nga Beogradi”, tha Kurti.
Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Pas kërkesë së ShBA-së, Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.
Ndërkaq vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës./KosovaNews/