Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.
Një ditë më parë Bakoyannis ishte pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, Bakoyannis ka thënë se raporti që do të përpilojë gjatë vizitës së saj do të shërbejë si bazë për vendimmarrje në PACE.
Ish-kryediplomatja greke është caktuar nga Komiteti për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Parlamentare si raportuese për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill, dhe është ngarkuar ta bëjë raportin në bazë të gjetjeve të dy juristëve eminentë që janë caktuar për ta vlerësuar aplikacionin.
Në maj të 2022-tës Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E, në prillin e sivjetmë, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.



