Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani është deklaruar para mediave pas një takimi me homologen e tij nga Kosova, Donika Gërvalla – Schwarz.
Në fjalën e tij, Tajani ka deklaruar se e sheh si gjest pozitiv vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e shqiptimit të gjobave për veturat me targa ilegale për 48 orë.
Ai ka thënë se Italia është e gatshme që të mbështes të dyja palët për gjetjen e një zgjidhje rreth kësaj çështje.
“Ne jemi të angazhuar për ta mbështetur paqen, qëllimi ynë është që ti zgjidhim problemet dhe që në këtë pjesë të Ballkanit të kthehet prosperiteti, të kthehet rritja ekonomike dhe mirëqenia qytetare. Kjo nuk është një vizitë e rastësishme. Dua që të jetë një mesazh që ne jemi këtu në dispozicionin tuaj për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh ministri Tajani.
Tajani ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë ka marrë një mesazh për gatishmëri rreth dialogut.
“Në Prishtinë e kam marrë një mesazh për gatishmëri për dialog, e kemi vlerësuar vendimin e Kosovës për të shtyrë për 48 orë shqiptimin e gjobave për targa. Asnjëherë nuk kam thënë që Kosova nuk është e gatshme të dialogoj, unë kam thënë që të dyja palët kanë dhënë sinjal të gatishmërisë për dialog. Kjo është ajo që mua më është thënë. Do të ishte dëshpëruese nëse nuk do të kishte mosgatishmëri për dialog nga të dyja palët”, tha Tajani.
Ai ka thënë se e konsideron shumë pozitiv shtyrjen e vendimit për dhënien e gjobave për 48 orët e radhës.
Në fund, Tajani ka deklaruar se Italia është duke menduar të organizojë në Romë një ngjarje që i kushtohet Ballkanit, ku do të ishin të ftuar të gjithë liderët e Ballkanit në atë takim.
Ai ka thënë se nuk duhet krijuar probleme të reja në rajon, pasi që Ballkani ka vuajtur mjaft shumë.


