Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A. është gjobitur me 25 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) për shpërndarjen e faturave të ujit në mënyrë të hapur, pa zarf, duke shkelur rregullat e mbrojtjes së të dhënave personale.
Rasti ka filluar pas një ankese të bërë nga qytetarët, të cilët kishin raportuar se faturat e ujit ishin vendosur në kutia postare, duke qenë të ekspozuara gjysmë jashtë kutisë dhe kështu duke i bërë të qasshme për palët e treta.
Ankuesit kishin paraqitur prova, duke përfshirë fotografi të faturave ku shiheshin të dhënat personale si emri, mbiemri, adresa dhe shpenzimi i ujit.
Kjo situatë mund të shkaktonte keqpërdorimin e këtyre të dhënave dhe mund të kishte pasoja për privatësinë e qytetarëve.
AIP-ja kishte paralajmëruar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina më 29 shkurt 2024, duke i kërkuar të merrte masat e duhura për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave.
Pas kësaj, më 18 qershor 2024, AIP rikujtoi kompaninë për këto obligime. Në gusht 2024, Kompania Rajonale e Ujësjellësit njoftoi AIP-në se kishte filluar shpërndarjen e faturave me pliko të mbyllura, duke përmbushur kështu kërkesat e sigurisë.
Megjithatë, AIP konstatoi se edhe pas paralajmërimeve dhe masave të marra, Kompania vazhdoi të shpërndante faturat në mënyrë të papërshtatshme, duke ekspozuar të dhënat personale të konsumatorëve.
Pas shqyrtimit të provave dhe analizave ligjore, AIP e gjobiti kompaninë me shumën prej 25 mijë euro dhe e urdhëroi që të merrte masa të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka afat 30 ditë për të paguar gjobën dhe mund të apelojë vendimin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, brenda këtij afati.