Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka folur për përpjekjet e shtetit të Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit, si dhe luftimin e krimit e kontrabandës në veri të vendit. Ai në një konferencë për media ka folur edhe për kërcënimet për destabilizim në këtë pjesë të shtetit.
Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se problemi është se interesi i personave që duan destabilizim në Kosovë gjen mbështetje politike në Beograd dhe për këtë sipas tij, faktori ndërkombëtarë duhet të mbajë shënim.
“Ata të cilët janë në listën e zezë të Thesarit amerikan, ata të cilët kanë fletëarreste në Kosovë, ata të cilët kanë punuar dhe punojnë për struktura ilegale, natyrisht që kanë interes destabilizimin. Problemi është kur interesi i tyre gjen mbështetje politike në Beograd dhe unë besoj që faktorët ndërkombëtarë do të duhej të mbajnë shënim me shkronja të theksuara për këtë mbështetje politike që iu vjen këtyre kriminelëve që e duan destabilizimin e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti duket se iu referua nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili ka urdhëarrest në Kosovë dhe gjendet në listën e zezë amerikane për përfshirje në korrupsion.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e ka cilësuar në një prononcim për media Radoiçiqin si udhëheqës i kontrabandistëve që sulmojnë Policinë e Kosovës.
E për këto ka reaguar Lista Serbe, e cila në një komunikatë të lëshuar në faqen e tyre zyrtare, thotë se kryeministri Kurti dëshiron t’i “sulmojë” serbët, ndërkaq nënkryetari Listës Serbe, Milan Radoiçiq dëshiron t’i mbrojë ata.
Mirëpo ShBA i ka kujtuar kësaj partie se Radoiçiq është i sanksionuar për korrupsion dhe krim të organizuar.
Një zyrtar i lartë amerikan, në një përgjigje për Klan Kosovën, ka thënë se janë në dijeni për deklaratat e fundit të Listës Serbe për Milan Radoiçiqin dhe i kanë kujtuar Listës Serbe se ai është i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i shtetit amerikan për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.
“Ne jemi në dijeni për deklaratat e fundit për Milan Radojçiqin. Milan Radoiçiq është sanksionuar nga qeveria amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, thuhet në këtë përgjigje.