Intervista e zëvendësministrit të jashtëm të Kosovës vjen në një moment kritik pasi pushtimi rus i Ukrainës vazhdon ta transformojë masivisht sigurinë, paqen dhe stabilitetin gjeopolitik të Evropës. Bota është dukshëm e ndarë në lidhje me luftën që është duke ndryshuar rendin ekzistues. Megjithatë, e vendosur në zemër të Ballkanit, Republika e Kosovës, një komb i vogël, paqësor dhe i ri, po ecën përpara me ëndrrat dhe ambiciet e veta. Bangladeshi ka qenë shteti i 114-të që ka njohur diplomatikisht Republikën e Kosovës më 27 shkurt 2017. Që atëherë, të dy vendet janë duke lidhur lidhje të qëndrueshme miqësie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Duke filluar nga njohjet më të gjera diplomatike të vendit, politika e jashtme, ekonomia, politika e deri te ndikimet rajonale dhe më të gjera të luftës në vazhdim Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera – Shkëlqesia e Tij Kreshnik Ahmeti ndan opinionet e tij të detajuara, informuese dhe perceptuese për Daily Observer, përcjell Kosovanews.
Daily Observer: Shkëlqesia e Juaj Ahmeti, a do të na prezantoni një kuptim të përgjithshëm të njohjes diplomatike të Republikës së Kosovës?
Kreshnik Ahmeti: Pas një periudhe të gjatë shtypjeje nga Serbia, e cila kulmoi me një agresion gjenocidal të njësive ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë, gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.
Nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Serbia e ka kundërshtuar legjitimitetin e pavarësisë sonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Në muajin korrik të vitit 2010, GJND-ja dha opinionin se shpallja e pavarësisë nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Republika e Kosovës sot ka vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve të botës dhe është e angazhuar aktivisht në dimensionin multilateral të marrëdhënieve ndërkombëtare.
D O: Si do ta shpjegonit politikën e jashtme të vendit tuaj?
Kreshnik Ahmeti: Republika e Kosovës është një vend demokratik, me media të lira dhe me të drejta shembullore të pakicave. Popullsia jonë është relativisht e re dhe ekonomia jonë po rritet në mënyrë të paprecedentë (10.53% rritje vjetore e BPV-së në vitin 2021.)
Politika jonë e jashtme bazohet në vlerat universale të të drejtave të njeriut dhe në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve. Pra, ka konsensus brenda vendit për qëndrimet që duhet t’i mbajmë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shembull, më 24 shkurt, kur Federata Ruse vazhdoi agresionin ushtarak në Ukrainë, udhëheqësit tanë shtetërorë deklaruan se Republika e Kosovës mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe është e gatshme ta ndihmojë popullin ukrainas dhe ky qëndrim u mbështet edhe nga partitë opozitare. Ne gjithashtu miratuam të gjitha pakot e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) kundër Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
D O: Cili është mendimi juaj për perceptimin që mbizotëron gjerësisht për ‘karakterin e njëanshëm të deklaratës së Kosovës’ në mesin e disa vendeve që hezitojnë ta njohin zyrtarisht Kosovën?
Kreshnik Ahmeti: Ka pasur një fushatë dezinformimi nga Serbia në lidhje me pavarësinë tonë. Fakti i rëndësishëm që duhet përmendur është se pavarësia jonë nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244 dhe këtë e ka thënë GJND-ja, kur Serbia i ka kundërshtuar me pyetjen.
Pavarësia e Republikës së Kosovës nuk është rast që mund të merret si precedent, sepse konteksti historik ishte i veçantë. Nga shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë u krijuan një sërë shtetesh dhe Republika e Kosovës është një prej tyre.
D O: Në sfondin e luftës së vazhdueshme të Ukrainës në Evropë, si do ta vlerësonit gjendjen e demokracisë brenda shteteve të pavarura të Ballkanit?
Kreshnik Ahmeti: Nën hijen e agresionit rus në Ukrainë doli hapur një fakt i njohur tashmë për ne: Serbia nuk është një vend demokratik dhe është plotësisht në linjë me regjimin e Putinit. Të gjitha shtetet në Evropën Juglindore kanë sanksionuar Federatën Ruse, ndërsa i vetmi vend që nuk e bën këtë është Serbia. Përkundrazi, ata e kanë bërë veten si një derë përmes së cilës Rusia mund t’i shpëtojë sanksioneve. Për shembull, mbi 300 biznese ruse janë themeluar në Serbi që nga data 24 shkurt. Gjithashtu, derisa të gjitha vendet evropiane i kanë ndaluar fluturimet nga Rusia, Serbia i ka rritur ato. Kohët e fundit, kur Bashkimi Evropian ra dakord për t’i sanksionuar importet e gazit dhe naftës nga Rusia, Presidenti i Serbisë pati një telefonatë me Putinin në të cilën ata bënë një marrëveshje të re për ta importuar gazin rus në Serbi.
D O: Si po ndikon lufta në Kosovë dhe në vendet fqinje, në aspektin politik dhe të sigurisë?
Kreshnik Ahmeti: Republika e Kosovës jo vetëm që ka marrë masa për sanksionimin e Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, por ka ndërmarrë edhe hapa për t’i ndihmuar qytetarët ukrainas. I kemi hequr përkohësisht regjimin e vizave; do t’i strehojmë 20 gazetarë ukrainas me familjet e tyre dhe do t’i krijojmë kushtet e nevojshme që ata të punojnë nga Kosova; ne kemi ofruar programe falas të gjuhës angleze në nivel universitar për refugjatët ukrainas; dhe ne jemi të përkushtuar që t’i strehojmë 5000 ukrainas në Kosovë.
Përderisa ne i morëm këto masa, me konsensus në të gjithë bordin politik në Kosovë, ne ishim të shqetësuar edhe për projektin hegjemonist të Serbisë të “Botës Serbe”, i cili synon t’i sjellë të gjithë serbët e rajonit brenda një shteti dhe është i mbështetur hapur nga Qeveria e Serbisë.
Në muajin nëntor të vitit 2021, Vuçiq takoi Putinin në Sochi dhe pas takimit deklaroi se i kishte treguar Putinit hartën e veriut të Republikës së Kosovës. Kjo ka ndodhur derisa Serbia ka 42 baza operative të ushtrisë së saj në kufirin me ne, dhe Rusia ka një bazë të inteligjencës në Serbi, afër kufirit me Republikën e Kosovës.
Pas datës 24 shkurt kemi pasur disa sulme ndaj policëve tanë në veri të Republikës së Kosovës, disa prej tyre edhe nga territori i Serbisë.
Çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë janë futur papritur në listën prioritare për shumicën e vendeve evropiane, çfarë hapash ka ndërmarrë Kosova deri më tani?
Qeveria jonë është duke investuar në aftësitë mbrojtëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). FSK ka bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe ushtrinë amerikane. Ne kemi marrë pjesë dhe kemi qenë pjesë e stërvitjeve të fundit të NATO-s “Defender Europe ’21”. Gjithashtu, ne jemi duke bashkëvendosur ushtarët tanë me ushtrinë amerikane, siç është rasti në Kuvajt.
Republika e Kosovës po i ngritë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të sigurisë dhe po ashtu po kontribuon për paqen në botë.
D O: Si do t’i shpjegonit marrëdhëniet e Republikës së Kosovës dhe planet e ardhshme me NATO-n dhe BE-në?
Kreshnik Ahmeti: Siç e përmenda, ne kemi bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe ekziston një konsensus në shoqërinë tonë që ne duhet të jemi pjesë e NATO-s. Një lëvizje e tillë nuk e ndihmon vetëm stabilitetin e Republikës së Kosovës, por e ndihmon edhe stabilitetin në rajon. Jemi duke punuar intensivisht për të pasur marrëveshjen e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe më pas për t’u bërë anëtare e plotë e Aleancës.
Ne gjithashtu kemi marrëdhënie intensive shumështresore me BE-në. Republika e Kosovës është një vend që mbështet dhe punon brenda ombrellës së vlerave të Bashkimit Evropian.
Derisa po përparojmë në një sërë fushash, si për shembull të qenit vendi më demokratik në rajon, planet tona janë të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit.
D O: Cila është gjendja aktuale e ekonomisë së Kosovës? Dhe si planifikoni t’i jepni një nxitje ekonomisë kombëtare duke hapur rrugë të reja tregtie dhe komerciale me pjesën tjetër të botës?
Kreshnik Ahmeti: Ekonomia e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje të paprecedentë prej 10.53% vitin e kaluar, eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur për 88.3%, investimet e huaja direkte janë rritur për 22%, dhe të hyrat shtetërore janë rritur për 30% pa ndryshuar politikën fiskale.
Kjo tregon se ka optimizëm në ekonominë tonë, që do të thotë se njerëzit shpenzojnë më shumë dhe më shumë investime publike dhe private janë të mundshme.
Ne kemi një ekonomi të hapur dhe kemi marrëdhënie të ngushta tregtare jo vetëm me shtetet në rajonin tonë dhe kontinentin evropian, por edhe me ekonomitë e kontinenteve të tjera, ku partneri më i madh janë Shtetet e Bashkuara.
D O: Në botën e paspandemisë (supozojmë), si do ta përshkruanit rëndësinë gjeografike dhe strategjike të Kosovës?
Kreshnik Ahmeti: Me ndërprerjen e rrjetit të zinxhirit të furnizimit në botë për shkak të pandemisë COVID-19, Kosova identifikohet si një mundësi e madhe për prodhim dhe gjithashtu si qendër e shpërndarjes për Evropën dhe më gjerë.
Kosova ndodhet në zemër të Evropës Juglindore dhe është e lidhur mirë me autostrada, hekurudha, aeroporte dhe porte afër.
Popullsia jonë është relativisht e re, me moshë mesatare 30 vjeç dhe është me arsim të lartë në sistemin tonë arsimor dhe gjithashtu në institucionet ndërkombëtare. Kështu, ata flasin edhe një sërë gjuhësh të huaja.
Këta janë vetëm disa nga faktorët që i japin Kosovës rëndësi të lartë gjeografike dhe strategjike.
D O: Në kuadër të kapaciteteve tuaja profesionale dhe joprofesionale, si planifikoni ta vendosni Republikën e Kosovës në hartën botërore?
Kreshnik Ahmeti: Republika e Kosovës ka shumë për të ndarë me botën, dhe jo vetëm politikisht dhe ekonomikisht. Qeveria jonë është e angazhuar në mënyrë aktive për të krijuar ura mes njerëzve, pasi ne besojmë se puna jonë duhet të ketë qytetarët si përfitues të fundit. Pavarësisht nga marrëdhëniet formale, ne kemi krijuar ura të tilla me shumicën e vendeve në botë dhe presim të bëjmë të njëjtën gjë me të tjerët.
Sukseset e artistëve tanë si Dua Lipa, sportisteve dhe sportistëve si Majlinda Kelmendi tashmë e kanë futur Republikën e Kosovës në hartën e botës.
D O: Çfarë mesazhi do të jepnit për lexuesit e Daily Observer në Bangladesh?
Kreshnik Ahmeti: I sugjeroj lexuesit tuaj të jenë shumë optimistë për të ardhmen e Bangladeshit dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Bangladeshi ka pasur një nga mesataret më të larta vjetore të rritjes ekonomike në botë gjatë dekadës së fundit. Me këtë trend zhvillimi, Bangladeshi do të jetë më i suksesshëm çdo ditë.
Unë ju sugjeroj ta ndiqni vizionin e miqësisë së Atit të Kombit tuaj, Sheikh Mujibur Rahman, të përshkruar në fjalët e tij, ‘miqësi për të gjithë, keqdashje ndaj askujt’. Bangladeshi është një komb paqësor dhe është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në operacionet paqeruajtëse të OKB-së, duke garantuar sigurinë e të tjerëve. Paqeruajtësit tuaj kanë shërbyer edhe në vendin tim. Kosova është gjithmonë mirënjohëse dhe nuk do ta harrojë kurrë. Mos harroni se kur ju ofroni një dorë miqësie, të tjerët do t’ju ofrojnë gjithashtu një dorë miqësie.
Marrëdhëniet tona në nivel shtetëror me Bangladeshin janë mjaft të reja. Dy vendet tona vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 2018. Duke marrë parasysh potencialin dhe vullnetin e dy vendeve dhe popujve tanë, mund t’ju siguroj se në marrëdhëniet tona na pret një e ardhme shumë e mirë.