Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar në Paris ku ka takuar senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë, Ballkan si dhe deputetin Jean-Philippe Ardouin.
Në këtë takim ata kanë biseduar per bashkëpunimin ndër parlamentarë në mes Kosovës dhe Francës.
Ndërsa, nga ministria e jashtme e Francës, Memli Krasniqi është takuar me Adrien Fier ku kanë diskutuar rreth zhvillimeve politikë në vend.
“Dje, në Paris të Francës, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme zyrtare në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë.
Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falelënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet.
Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku u takova me z. Adrien Frier, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to.
Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një Qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor.”, ka shkruar Krasniqi në facebook.


