Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke thënë këto 25 vjet na kanë mësuar se liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë dhe se atë duhet mbrojtur çdo ditë.
Krasniqi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka falënderuar të gjithë burrat dhe gratë që patën vullnetin, guximin e besimin për të luftuar për liri dhe për të ardhmen e ndritshme të popullit dhe vendit tonë.
“Një kategori të zgjedhur të popullit tonë, kjo ditë i ka gjetur me pushkë në dorë, nëpër frontet e luftës çlirimtare, të gatshëm të vdesin për liri, duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm të rrugëtimit tonë kombëtar, Komandantit Legjendar Adem Jashari”, tha kreu i PDK-së.
Krasniqi ka kujtuar kontributin e çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokëve të tyre në Hagë, të cilët kanë thuajse katër dekada që luftojnë për liri dhe për mbrojtjen e saj.
“Këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti. E dimë dhe jemi të bindur, që shumë shpejtë ata do t’i kemi në mesin tonë, prandaj, sot, në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, u dërgojmë urimet dhe të falat tona e të mbarë popullit të Kosovës. Ju themi se ju jeni heronj të luftës dhe të paqes dhe se askush me asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë. Qëndroni të fortë sepse, pa dyshim, dielli do të lind përsëri”, tha ai.