Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar në Zveçan dhe Zubin Potok të premten, ku ka takuar kryetarët, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos i diskriminojë këto dy komuna – të udhëhequra nga PDK-ja – pasi ka shtuar se qytetarëve në to u mungon mbështetja nga niveli qendror.
“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratoj kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se vlerëson që shqiptarët e Zubin Potokut po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.
“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë ai.
Krasniqi u bëri thirrje kryeministrit dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin.

