Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se në këtë takim është folur edhe për qëndrimet e PDK-së lidhur me situatën aktuale politike dhe për rrugën që sipas tij duhet ndjekur për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke u bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“E falënderova ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për zërin e tij të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe funksionalitetit institucional”, shkroi Krasniqi.
Ambasadori gjerman Rohde, një ditë më parë, është takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka diskutuar për tejkalimin e krizës politike që ka përfshirë vendin muajve të fundit.