Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdojnë aktivitetet e numërimit dhe verifikimit të votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Sipas njoftimit të publikuar të enjten në orën 16:00, në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) ka përfunduar verifikimi dhe numërimi në 35 qendra, ndërsa deri më tani janë procesuar 91 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Më 6 qershor, votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Nga 27 mijë e 724 shtetas të regjistruar për të votuar fizikisht në këto misione diplomatike, votuan 22 mijë e 860 qytetarë, ose 82.46 për qind. Të gjitha këto fletëvotime tashmë kanë hyrë në procesin e numërimit.
Paralelisht, në QNR po vazhdon edhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Deri në fund të ditës së mërkurë, 10 qershor, janë shqyrtuar mbi 23 mijë e 300 pako, prej të cilave 22 mijë e 601 janë miratuar, ndërsa 755 janë refuzuar.
KQZ bën të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike të votuesit. Nga gjithsej rastet e refuzuara, 699 kanë rezultuar pa këtë dokument.
Procesi i verifikimit të pakove postare ka nisur më 9 qershor dhe synon të konfirmojë nëse ato janë dërguar nga votues të regjistruar për votim me postë. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 23 kuti postare në 22 shtete dhe në Kosovë janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Ndërkaq, për votimin me postë në këto zgjedhje janë regjistruar gjithsej 104 mijë e 480 votues.
Njoftimi i plotë:
Dita e katërt (16:00) – Përfundon verifikimi dhe numërimi në 35 QKN, procesohen 91% e vendvotimeve / Në QNR fillon numërimi i fletëvotimeve nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike
Prishtinë, 11 qershor 2026 (E enjte, ora 16:00) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se janë duke vazhduar aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor 2026.
NJOFTIM NGA AKTIVITETET NË QENDRËN E NUMËRIMIT DHE REZULTATEVE (QNR)
1. Në QNR fillon numërimi i i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përaktësisht votimit në përfaqësi diplomatike.
Më 6 qershor 2026, në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike. Nga 27,724 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 22,860 prej tyre apo 82.46% dhe këto fletëvotime do të përfshihen në numërim.
2. Në QNR vazhdon vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përms postës.
Deri në përfundim të ditës së mërkurë (10 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako, prej të cilave janë aporvuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ.
Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për mumrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë.
Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues



