Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e miratoi regjistrimin e partisë së re Kosovski Savez, e cila udhëhiqet nga Goran Marinkoviq.
Pesë anëtarë votuan pro, ndërsa katër abstenuan, kështu që rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike nuk u pranua.
Kosovski Savez ka kompletuar më 23 prill 2025 kërkesën për regjistrim, të parashtruar në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
KQZ ka hequr nga rendi i ditës çështjen e pezullimit të partisë Kosova Adalet Türk Partisi, pasi kjo e fundit nuk kishte dorëzuar raportin financiar të fushatës brenda afatit ligjor deri më 28 prill 2025.
Partia dorëzoi raportin financiar të fushatës, pas skadimit të afatit, duke bërë kështu të pavlefshme arsyet për pezullimin e saj.
Për shkak të vonesës, më 2 maj 2025, Zyra e kishte ndëshkuar këtë subjekt politik me 5 mijë euro.