Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në kuadër të procesitparapërgatitor për organizimin e zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, të cilat do të mbahen gjatë këtij viti, ka pranuar shkresën njoftuese nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me numrin e anëtarëve të kuvendevekomunale.
Në përgjigje ndaj kërkesës së KQZ-së, shkresa njoftuese e MAPL-së bazohet në numrin e banorëve në komunat e Republikës së Kosovës nga regjistrimi i popullsisë i realizuar në vitin 2024.
Duke u mbështetur në nenin 36, paragrafin 1, të Ligjit nr. 03/L-040 për vetëqeverisje lokale, numri i anëtarëve në kuvende komunale duhet të jetë proporcional, varësisht nga numri i qytetarëve në komuna, me përjashtim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, qësipas paragrafit 2, përbëhet prej 51 anëtarëve.
nëse komuna i ka deri në 10.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 15 anëtarëve;
nëse komuna i ka prej 10.001 deri 20.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 19 anëtarëve;
nëse komuna i ka prej 20.001 deri 30.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 21 anëtarëve;
nëse komuna i ka prej 30.001 deri 50.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 27 anëtarëve;
nëse komuna i ka prej 50.001 deri 70.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 31 anëtarëve;
nëse komuna i ka prej 70.001 deri 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 35 anëtarëve;
nëse komuna i ka më shumë se 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 41 anëtarëve.

