Një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se të dielën në fshatin Rudarë derisa ishte duke lëvizur me veturë ka hasur në barrikadë, me ç’rast disa protestues i kanë dëmtuar veturën dhe i kanë marrë dy targat e saj.
Në raportin e policisë thuhet se nuk raportohet për të lënduar.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe se rasti nën hetime.
Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë nën organizimin e bandave kriminale më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Pas kërkesës së ShBA-së, Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.
Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.
Njoftimi i Policisë:
DËMTIM PRONE
Fsh. Rudar, Zveçan 31.07.2022 – 23:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte duke lëvizur me veturë ka hasur në barrikadë, me ç’rast disa protestues i kanë dëmtuar veturën dhe i kanë marrë dy targat e veturës. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime.


