Ministrat nga Republika e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar të hënën në Tiranë një memorandum, për të krijuar parkun më të madh ndërkufitar në Evropë me një sipërfaqe që i kalon 240 mijë hektarë.
Këtë e ka konfirmuar vetë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se me këtë nënshkrim fillojnë punët për krijimin e një zone të mbrojtur të përbashkët mes të tri shteteve, e ku përfshihet Korab-Koritniku, Sharri, Mavrova dhe Mali i Sharrit.
“Krejt kjo për t’i dhënë më shumë jetë parkut më të madh ndërkufitar në Evropë me një sipërfaqe që i kalon 240 mijë hektarë. Të bindur se një marrëveshje ndërkombëtare është thelbësore për ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme mjedisore, ekonomike, shkencore, kulturore dhe estetike për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm, me qëllimin kryesor që të zhvillojmë, promovojmë, menaxhojmë e ruajmë zonat tona të mbrojtura ndërkufitare”, ka shkruar Aliu.


