Kosova e ka mposhtur Qipron me rezultat 3:0. Golin e parë e shënoi kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ai shënoi nga afërsia në minutën e 30-të. Pranoi një top, kaloi një kundërshtar dhe me goditje të saktë mposhti portierin e Qipros. Ai u asistua nga Florent Muslija, që u inkuadrua në minutën e 16-të në vend të Milot Rashicës, që u ankua për një lëndim.
Me të nisur pjesa e dytë, Kosova kërkoi edhe golin e dytë, të cilin e arriti në minutën e 52-të. Ermal Krasniqi shënoi gol me goditje të saktë për 2:0, kurse zëvendësuesi Emir Sahiti realizoi golin e tretë për “Dardanët”. Ai shënoi pas topit të kthyer nga portieri, i cili priti gjuajtjen e Albion Rrahamnit. Sahiti në fushë u inkuadrua në minutën e 67-të, ndërsa golin e shënoi në minutën e 71-të. Të përzgjedhurit e selektorit Franco Foda patën edhe disa raste të mira shënimi. Por gjatë 90 minutave shënuan vetëm tri gola. Qipros iu anulua një gol.
Kosova në nëntor i luan dy ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve. Më 15 nëntor e luan ndeshjen më të rëndësishme kundër Rumanisë, kurse më 18 nëntor e pret Lituaninë në “Fadil Vokrri”.


